Transmetuar më 11-01-2018, 23:52

Kuvendi i Maqedonisë miratoi sot propozimin për shpalljen e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare në të gjithë vendin me 69 vota pro dhe asnjë kundër, pa deputetët e VMRO- DPMNE-së.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin për çështje Europiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar.

Ligji parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe institucionet publike e private, ndryshe nga ligji aktual i cili njeh të drejtën e gjuhës aty ku shqiptarët janë shumicë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti në një postim në Facebook.

Postimi i Ali Ahmetit:

Miq, zakonisht, përpiqem t’ju kthej përgjigje të gjithë atyre që më urojnë me raste të ndryshme, por këtë herë e kam të pamundur t’i përgjigjëm një për një, mijëra e mijëra uratava tuaja për miratimin e Ligjit për përdorimin zyrtar dhe të barabartë të gjuhës shqipe që vijnë nga të gjitha qytetet tona, por edhe nga Shqipëria, Kosova, Lugina, Mali i Zi dhe Diaspora.

Nëpërmjet të këtyre rreshtave ju shpreh faleminderimet e mia më të sinqerta dhe e përcjell mirënjohjen time më të thellë për kontributin e gjithësecilit prej jush bashkë edhe me ato që nuk janë më pranë nesh.

Nuk mund të lë pa i veçuar edhe ata, pa kontributin e të cilëve ndër vite nuk do t’a arrinim të sotmen, dëshmorët dhe veteranët e UÇKsë, bashkë me gjeneratat e tëra të patriotëve dhe veprimtarëve ndër dekada.

Kur jemi bashkë, arrijmë të bëjm shumë punë. Bashkë kemi edhe shumë punë për të bërë.

Vetëm kur jemi bashkë, jemi më të fortë!/a.k/noa.al/