Transmetuar më 11-01-2018, 23:06

Nga Edison Ypi

Babi hajdut, ky rrëshqanor i zyrave dhe korridoreve, ky akrobat burokratik, ky krimb, ky puthador e puthabyth i paepur i eprorëve dhe shtypës i vrazhdë e i pamëshirshëm i vartësve, ky ndyrësirë, ky rrugaç dhe hajdut i neveritshëm, di të bëjë më të ëmblën, më eksituesen, më të mrekullueshmen e mrekullirave; paren publike e kthen në pare private.

Paret e vjedhura të babit hajdut shpenzohen  në mënyra nga më të ndryshmet prej atyre që vetvetiu paret e hajdutllëkut u përkasin; kalamajtë e babit hajdut. Për të bërë qejf nëpër lokale, hotele, plazhe, shkuma party, duke larguar sa më tepër punën dhe afruar qefin, për ta mbushur Shqipërinë jo me punëtorë dhe zanatçinj problematikë, por me qejflinj të dhjamosur të rehatuar.

Paret e babit hajdut, çuni ose goca e babit hajdut, ose të dy, i përdorin, për t’u droguar. Për ta ndalur këtë tmerr e këtë turp do duhej Hitleri ose Presidenti i Filipineve që pjellave bastarde të babit hajdut t’u shtypte kokat, ose më thjesht ne t’u ngulnim nga një thikë në fyt. Por meqenëse ligji e ndalon, parja e babit hajdut prodhon pa u ndalur të sëmurë ngordhalaqë që s’i duhen as babit hajdut, as atdheut të hajdutëve në shtim, as dreqit, as të birit të dreqit.

Me paret e kollajta të babit hajdut, çuni ose goca, pse jo të gjithë kalamajtë e babit hajdut, dërgohen të bëjnë shkolla të shtrenjta jashtë Shqipërisë. Meqenëse në ato shkolla kalamajtë e babit hajdut nuk shkojnë pse kanë ndonjë talent apo ndonjë meritë, por vetëm për t’u ngrehur me paret e vjedhura të babit hajdut, puna që e kryejnë më së miri është ndihmesa e pakursyer që japin për t’i përhapur Shqipërisë namin e vendit të hajdutëve, budallenjve me brirë, se për rezultate shkollore as që flitet, nga shkollat kthehen tyça që Shqipërisë i shtojnë radhët e ushtrisë së hajvanëve.

Nëse me paret e babit hajdut çuni dhe goca ndoshta nuk drogohen, dhe as nuk shkojnë në shkolla të shtrenjta, por hapin një biznes, bëmë baba të të ngjaj, nën shembullin e ndritur të babit hajdut, nuk paguajnë taksa, nuk sigurojnë të punësuarit, ose dhe më zi, futen në politikë, me pasojat katastrofike që lehtësisht merren me mend.

Me paret e kollajta të babit hajdut çuni ose goca e babit hajdut bëjnë edhe plot gjëra të tjera. Blejnë, për shembull, makina dhjetëra mijëra euro që i ngasin me 150 në orë në mes të qytetit, vrasin policin rroga mujore e të cilit është më e vogël se çmimi i njërës prej gomave të makinës së blerë me paret e babit hajdut, përfundojnë në burg ku data e hyrjes dihet, por për datën e daljes nga burgu me paret e babit hajdut s’bëzan kush.

Paret e vjedhura të babit hajdut, shkaktojnë dëshpërimin e miqve dhe mikeshave të çunit dhe çupës së babit të ndershëm, të cilin e bëjnë të ndjehet budalla, e ndoshta të shpresojë që edhe ai të  bëhet hajdut dhe hajdutllëkun ta mbulojë me paret e vjedhura.

Në Shqipërinë e sotme ku sasia më e madhe e pareve është e baballarëve hajdutë, babi hajdut nuk është trim. Babi hajdut është frikacak. Për babin hajdut, parja private përbën rrezik. Babi hajdut paren private s’e vjedh dot. Paren private është e të tjerëve veç e veç, kështu si po venë punët, me gjasa, edhe ata kandidatë për hajdut. Nga vjedhja e pares publike babin hajdut s’e gjen asnjë e keqe, nuk ka asnjë rrezik. Paren publike të vjedhur nga babi hajdut kalamajtë e babit hajdut mund ta shpenzojnë pa frikë, se duke qenë publike, pra e të gjithëve dhe e askujt, babi hajdut as që ndjehet hajdut.

Me paret qyl të babit hajdut, bastardët e babit hajdut blejnë çdo gjë. Sende po se po, por edhe nam, madje dhe respekt. Të gjitha provizore, natyrisht. Babin hajdut e rren menia se kurrë s’ka për t’u kapur, por asgjë definitive nuk mund të blihet me paret e babit hajdut.

Meqenëse çuni i babit hajdut dhe i dashuri i gocës së babit hajdut, të cilët s’e kanë për gjë t’i këmbejnë dashnoret, gjatë seksit me paret e babit hajdut, për të bërë sa më tepër qejf nuk përdorin prezervativ, popullsia e Shqipërisë po shtohet me gjallesa të paidentifikueshme që nuk kuptohet se çfarë janë, kopila apo kalamaj. Kopilat dhe kalamajtë nuk dallohen më. Janë bërë lëmsh. Nuk po merret vesh, dhe as rëndësi po ka, nëse foshnja që lind është fëmijë apo kopil i këtij, kopil apo fëmijë i atij tjetrit.

Paret e vjedhura të babit hajdut, si mjeti më efikas për t’i mësuar të rinjtë të mos zënë punë me dorë, janë mjet i pazëvendësueshëm i përhapjes së veseve dhe sëmundjeve si vaniteti, parazitizmi, sedentarizmi, qyli, pabesia, por kur ndodh si tek ne që veset kthehen në modë dhe meritë dhe të gjithë garojnë të bëhen të tillë, shpenzimi i pareve të babit hajdut është diçka pa pasoja imediate, diçka që aty për aty nuk vihet re.

Epidemia e qejfit me shpenzu paret e babit hajdut ka plas keqas. Morbusi vdekjeprurës që po përhapet me shpejtësi marramendëse nga babi te i biri, nga i biri te babi, nga hajduti te hajduti, pas pak do na shndërrojë në të parin komb në historinë e botës plot me etër dhe bij të gjithë hajdutë.

Të vazhdojnë të bien daullet e atdhedashurisë. Të pëllasin moralistët. Të këshillëjnë profesorët. Liria arriti të bëjë atë që kurvi dhe diktatura megjithëse vranë e prenë e u lodhën aq tepër nuk e arritën dot. Falë pareve të babit hajdut, Shqipëria po mbushet tejpërtej me drogaxhinj, ngordhalaqë, qejflinj, parazitë, të sëmurë, të deprimuar, burgaxhinj, tyça, hajvanë, kopila.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al