Transmetuar më 11-01-2018, 19:01

Një fotografi e një të mituri, që shkon me vonesë në klasë, është bërë virale në internet që prej ditës së djeshme.

Djaloshi, që është nxënës i klasës së tretë në provincën Yunnan, Kinë, udhëtoi si çdo ditë, 4.5 kilometra për të shkuar në shkollë.

Por, i ftohti dhe bora që binte bënë që flokët dhe vetullat e tij të ngrinin dhe të merrnin ngjyrën e bardhë të dëborës.

Kaq ka mjaftua që shokët e tij të klasës të qeshnin dhe mësuesja i bëri një foto të miturit. Ajo ia dërgoi foton drejtorit dhe për arsye ende të panjohura u shpërnda në internet, për të shkaktuar më pas “tërmet” në rrjet.

Vogëlushi kishte sfiduar temperaturat e ulëta dhe nuk kishte veshur rroba të mjaftueshme për ta mbajtur ngrohtë.

Drejtori i shkollës tregoi se prindërit e të miturit kanë emigruar në një qytet të madh për shkak të kushteve të këqija ekonomike, megjithatë djaloshi nuk le asnjë orë mësimi duke udhëtuar çdo ditë një orë në këmbë. /k.k/noa.al/