Transmetuar më 11-01-2018, 15:53

Lidhur me lajmin e miratimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.

Në një postim në Facebook Meta e ka cilësuar një lajm të gëzueshëm miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa ka theksuar se ai është një akt i rëndësishëm edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

“Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Ljubljanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, shkruan Meta.

Kuvendi i Maqedonisë miratoi sot propozimin për shpalljen e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare në të gjithë vendin me 69 vota pro dhe asnjë kundër, pa deputetët e VMRO- DPMNE-së.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin për çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar.

Ligji parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe institucionet publike e private, ndryshe nga ligji aktual i cili njeh të drejtën e gjuhës aty ku shqiptarët janë shumicë. /b.l/noa.al/