Transmetuar më 11-01-2018, 15:38

Dashuria për një vajzë për pak sa nuk e ka bërë vrasës një të ri nga Divjaka. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Babunjë, ku një 22 vjeçar ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një 14 vjeçare e cila nuk ka pësuar dëmtime.

Noa.al mëson se i riu ishte fiksuar keq pas adoleshentes duke e ngacmuar shpesh herë kur ndeshej me të në rrugë, por vajza nuk i kishte kushtuar asnjëherë rëndësi.

Por ndërsa Bajram Krasniqi, ka mësuar se prindërit e 14 vjeçares i kishin dhënë fjalën një tjetër familje për ta fejuar vajzën, 22 vjeçari nuk e ka kapërcyer dot këtë fakt dhe ka rrëmbyer armën duke qëlluar në drejtim të saj, por që fatmirësisht plumbat nuk e kanë prekur të renë.

Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës materiale ka gjetur e sekuestruar 3 gëzhoja arme zjarri automatik model 56, ndërsa ka vënë në pranga edhe Bajram Krasniqin.

Lidhur me rastin, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese" e mbetur në tentativë dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak". /b.l/noa.al/