Transmetuar më 11-01-2018, 10:00

Deputeti demokrat Edi Paloka thotë se qeveria nëpërmjet Autoritetit të Konkurrencës kërkon anulimin e vendimit të Erion Veliaj për rritjen e çmimit të ujit.

Ai shprehet se vetëm frika se faturat e reja me çmimin skandaloz të ujit, që do t'iu shkojnë në shtëpi qytetarëve, do të rrisin revoltën dhe radhët e protestës së 27 janarit, e detyruan Ramën që nëpërmjet një prej agjencive të tij, t’i kërkojë “kopjes së tij” në bashki, anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të ujit.

Paloka deklaron se vendimi për rritjen skandaloze të çmimit te ujit në Tiranë u mor nga Veliaj duke blerë vota në Këshillin Bashkiak në korrik të 2017, pra menjëherë pasi Rama ishte konfirmuar kryeministër po ashtu, me vota të blera e të vjedhura.

Në këtë linjë thotë se, rritja e çmimit të ujit ishte dhurata e parë që Rama dhe “kopja e tij Veliaj” iu bënë qytetarëve pasi iu kishin marrë përdhunshëm votën në zgjedhjet parlamentare.

“Ishte absolutisht një vendim i Ramës dhe Velinës së tij, vendim që nuk e sprapsi dot as kundërshtia e opozitës dhe as reagimet (e dobëta në fakt) të mediave dhe qytetarëve.

Konfirmim i kësaj të vërtetë është fakti që Enti Rregullator i Ujit, që është po ashtu, tërësisht në duar të Ramës, e miratoi vendimin skandaloz të Velisë. Jo vetëm kaq, po Velina gjeti rast të bëjë dhe cinikun duke hedhur në gjyq një prej këshilltarëve demokratë të bashkisë pse denoncoi si skandaloz dhe korruptiv një vendim të tillë”, shkruan Paloka në Facebook.

Ai deklaron se tani papritur, një tjetër agjenci, tërësisht e kontrolluar nga Edi Rama, jep rekomandim që vendimi për rritjen e çmimit të ujit të anulohet.

“Çfarë ka ndodhur ndërkohë që Rama “ndryshoi”? A mos u bë më i ndjeshëm papritur për interesat e qytetarëve...?!!! Absolutisht, vetëm një është arsyeja: frika e protestës dhe rritja e revoltës qytetare, 27 janari!”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Edi Paloka. /a.y/noa.al