Transmetuar më 10-01-2018, 19:07

Dy ditë nga ngjarja e rëndë, ku një shqiptar vrau gruan dhe motrën e saj në Zvicër, janë publikuar të tjera detaje.

‘Blick.ch’ shkruan se familjarët e viktimave, nga Lezha, pasi janë njohur me lajmin e rëndë kanë shkuar në Francë dhe Zvicër.

Kreshniku, bashkëshorti i motrës së tretë të viktimave, i cili jeton edhe ai në Francë ka ngritur akuza ndaj baxhanakut të tij, i cili ndodhet tashmë pas hekurave.

Albinfo.ch bazuar tek rrëfimet e Kreshnikut, shkruan se çifti jetonte bashkë prej 18 vitesh, ndërsa kishin tre fëmijë, dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë, 14-vjeçar. Mes të tjerash Kreshniku pohoi se kosovari e dhunonte prej vitesh gruan e tij, aq shumë sa e kishte bërë disa herë për spital.

Po ashtu, ai tregon se e kishte mbajtur të mbyllur, duke mos e lejuar të socializohej në Zvicër dhe të mësonte gjermanishten.

Ndonëse gruaja kishte tentuar që ta denonconte bashkëshortin disa herë, nuk kishte pasur asnjëherë guximin.

Së fundmi ajo e kishte bërë këtë para një viti dhe sërish para 5 muajsh, transmeton Albinfo.ch. Por, policia, sipas Kreshnikut, nuk kishte ndërmarrë asgjë. Ndërsa një burim i Albinfo.ch, një banor i zonës ku jetonte edhe çifti, thotë se e njeh autorin e dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe se e priste që mund të ndodhte diçka e tillë.

Sipas tij, autori i dyshuar për vrasjet ka qenë pensionist invaliditeti dhe me gjendje jo të mirë financiare e sociale. Ai ka qenë edhe më herët i martuar me grua nga Kosova, ndërsa Alma ishte gruaja e dytë e tij.

Ndërsa televizioni regjional ‘Tele M1’ i Aargaut, ka biseduar me fqinj të familjes, të cilët kanë pohuar se disa herë nga banesa e tyre është dëgjuar zhurmë dhe grindje.

Ndërkaq, sipas tyre, këto zhurma janë shpeshtuar dhe intensifikuar javëve të fundit, që i bie, nga koha kur motra e re e zonjës së shtëpisë kishte ardhur mysafire.