Transmetuar më 08-01-2018, 20:09

Përveç skamjes me të cilën përballen çdo ditë, familjes Patoku i është shtuar një problem më shumë. Vajza e tyre 17 vjeçare, pas shtatzënisë është diagnostikuar me tumor.

Lindita Patoku ka nevojë imediate për mjekim jashtë vendit, pasi mjekët në Shqipëri nuk i japin shpresë. Mamaja e Linditës, Antoneta Patoku rrëfen për Report Tv me sytë e përlotur por me një zë të vendosur pwr vajzën se do bëjë ç’të jetë e mundur për ta shëruar, ndaj kërkon ndihmë për të.

“Unë kam qenë në punë, kam dalë nga puna në momentin kur vajza u sëmurë. Kam 4 muaj që po bredh vetëm nëpër spitale.

Shkova e shtrova në spital dhe më thanë për mua merre dhe ik, sepse ne nuk mund të bëjmë më shumë. Dhe i kam thënë doktorit si mund t’ia thoni nënës këtë fjalë.

Unë kërkoj ndihmë që ta coj vajzën jashtë shtetit, ta kuroj atje”, tha Antoneta.

Lindita ka nevojë për lëngje dhe ushqim të përzgjedhur, por familja Patoku nuk mund t’ia plotësoj pasi të 8 pjesëtarët e familjes janë të papunë.

“Ah sa e mërzit jam, nëna do vetëm ta shoh vajzën sic e ka pasur. Kur nuk ha, kur nuk pi vajza ime më pikëllon shpirti”, tregon mamaja e Linditës.

E vetmja gjë që ka mundur të sigurojë Antoneta për të ushqyer mirë vajzën e saj dhe nipin që sapo i ka lindur, është një shtrydhëse frutash, e cila është e vendosur në karrigen e shtrembëruar në shtëpinë e varfër të tyre.