Transmetuar më 08-01-2018, 19:03

Në Shqipëri jetojnë rreth tre milionë shqiptarë, por në pjesën tjetër të botës jetojnë edhe jo më pak se tre milionë të tjerë.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, thotë se është një fakt i pamohueshëm, numri i lartë dhe gjithnjë në rritje i shqiptarëve që kanë braktisur atdheun dhe jetojnë jashtë tij.

Z.Majko pohon se po aq sa shqiptarë jetojnë në vendin tonë, po aq të tjerë jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Numri më i madh i shqiptarëve që kanë emigruar është në Greqi, më tej në Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Kanada.

Gjithsesi, është fakt se shqiptarët në numër të ndryshëm gjenden edhe në të gjitha shtetet e tjera të Evropës.

Po ashtu shqiptarë me mijëra ndodhen dhe në kontinentet e tjera, përfshirë Amerikën, Azinë, Afrikën.

Spikat fakti tjetër se shqiptarët i gjen edhe në vende që në Shqipëri pak njihen, si ato afrikane, mes tyre Burundi, Togo, Çad, Venezuelë, etj.

Një tjetër fakt që z.Majko e bëri të ditur në RTSh ishte se në të gjithë botën, janë edhe shumë shqiptarë që gjenden burgjeve.

Janë të paktën 160 mijë shqiptarë të cilët dihet se janë burgjeve të botës, por ky numër është më i madh, – thotë z.Majko, duke ditur se shumë shqiptarë nuk kanë raportuar pranë familjeve, faktin se janë në burg, duke i gënjyer të afërmit se janë duke jetuar në emigracion të rregullt.

Ish kryeministri dhe ministri aktual i Diasporës, Pandeli Majko, thotë se po punohet që për herë të parë pas tre vjetësh, në zgjedhjet e pritshme të verës së vitit 2021, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të ftohen të votojnë për Parlamentin e ardhshëm.

Se sa prej tyre do të pranojnë këtë opsion, kjo mbetet të shihet pas tre vjetësh.

Diaspora shqiptare

Diaspora shqiptare, historike dhe e re, përbën një rast unikal. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, është ndër më të mëdhatë në botë. Kurse si shtrirje gjeografike kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Në total ajo numëron disa milionë veta, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.   

Dukuria e migrimit të shqiptarëve jashtë vendit nuk është e re. Ajo është e dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë me largimin e një mase të madhe banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut.

Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e Jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur në Siçili e Kalabri.

Gjatë shekujve që pasuan, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912, proceset migratore vazhduan në formën e lëvizjeve “të brendshme” nga trevat shqiptare në rajone të tjera të Perandorisë Osmane ose në vende fqinjë, të cilat, me kalimin e kohës, fituan autonomi apo pavarësi nga Porta e Lartë.

Këtyre lëvizjeve u detyrohet krijimi dhe konsolidimi i komuniteteve relativisht të rëndësishme shqiptare në rajonet e Turqisë së sotme, në Egjipt, Siri, Bullgari, Rumani e në ndonjë vend tjetër.

Periudha që nis me fillimin e shekullit të 20-të dhe, në veçanti, me formimin e shtetit shqiptar solli një ndryshim të rrugëve të emigrimit. Emigrimi drejt Turqisë vazhdoi përsëri, kryesisht për hir të lidhjeve që ekzistonin me ata që qenë vendosur atje, por tani ky vend, me problemet e shumëllojta që solli rënia e Perandorisë, nuk përbënte më një truall të parapëlqyer për emigrim.

Prandaj shqiptarët u orientuan kryesisht drejt  ShBA, Argjentinës, Australisë dhe në një numër më të kufizuar edhe në ndonjë vend evropian (Francë, Austri, Itali).

Një kontingjent të veçantë përbënte emigracioni politik, i larguar nga Shqipëria si rezultat i qëndrimit dhe veprimtarisë kundërshtuese ndaj regjimit të Zogut dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në harkun kohor 1945 – 1990 u shënua një shuarje thuajse e plotë e dukurive emigruese Emigracioni u rishfaq në Shqipëri në korrik 1990. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit nga vendi u largua  në emigracion rreth 25 për qind e popullsisë totale, ose rreth 35 për qind  e popullsisë aktive. Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.

Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. 

Shtrirja gjeografike e emigracionit shqiptar në vendet pritëse është diktuar nga kërkesat e tregut të punës. Në Greqi dhe Itali, për shembull, emigrantët shqiptarë gjenden të përhapur kudo në territoret e këtyre shteteve, natyrisht me një përqëndrim më të madh në qytetet kryesore.​ /noa.al/