Transmetuar më 07-01-2018, 16:25

Nëse kjo është Kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave, vështirë të përcaktohet.

Diçka shumë subjektive, edhe pse arritja e kualifikimit në kampionatin europian në vitin 2016 i bën këta futbollistë të quhen pjesë e një brezi të artë.

Por, nëse kjo është në dilemë, ka diçka që është e sigurt: Kjo është Kombëtarja më e shtrenjtë në historinë e saj.

Kristian Panuçi ka fatin, por edhe përgjegjësinë të drejtojë një grup lojtarësh, i cili arrin vlerën mbi 100 milionë euro.

Sipas albsport.al. kjo, për arsyen e vetme që lojtarët si Hysaj, Strakosha dhe Berisha janë duke bërë paraqitje dinjitoze në një nga kampionatet më të mëdha në Europë.

Për disa nga tifozët romantikë shqiptarë lojtarët e dikurshëm ishin më të fortë dhe më cilësorë, por faktet tregojnë se këta aktualët si Hysaj, Strakosha, Berisha, Xhaka apo edhe të tjerë luajnë për objektiva seriozë si titujt në kampionatet respektive, kualifikime në Europë dhe Kupa.

100 milionë euro

Kurrë më parë shifrat nuk kanë qenë të tilla, madje as në momentin që De Biazi e kualifikoi Shqipërinë në Europian.

Rritja e vlerës së kartonit të disa prej lojtarëve kryesorë ka bërë që të rritet ndjeshëm edhe vlera e Kombëtares shqiptare.

Edhe në “transfermakt” vihet re diçka e tillë, ku Shqipëria tani kushton 63.65 milionë euro.

Por, në fakt, kjo nuk është vlera reale, pasi Hysaj dhe Strakosha këtu nuk vlerësohen aq sa i ka vlerësuar instituti i statistikave në Europë, i cili merr në analizë performancën, moshën dhe gjithçka tjetër.

Sipas këtij instituti, Elseid Hysaj vlen 46 milionë euro dhe Strakosha 19 milionë, çka do të thotë më shumë se gjysma e të gjithë Kombëtares.

Në total, shifra i kalon 100 milionë euro duke përfshirë edhe lojtarët që janë pjesë e ekipit, por nuk ishin grumbulluar për ndeshjen e fundit me Turqinë.

Pas Hysajt dhe Strakoshës, lojtari i tretë më i shtrenjtë në Kombëtare është Etrit Berisha, vlera e të cilit ka shkuar në 7 milionë euro.