Transmetuar më 05-01-2018, 20:28

Pak ditë nga dorëheqja e Visar Ymerit nga posti i kryetarit të “Vetëvendosjes”, ka reaguar ish-lideri i lëvizjes politike, Albin Kurti.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka kërkuar rikthimin në detyrë të funksionarëve të dorëhequr, për të qenë të bashkuar.

“Nuk ia imponon askujt qëndrimin. Dje, bashkërisht, me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të Kryesisë, kemi votuar që dorëheqjet të rishqyrtohen dhe kemi kërkuar që të gjithë të dorëhequrit të kthehen në Kryesi.

Ne kemi marrë vendim për t’i kërkuar edhe një herë, me gjithë dashamirësinë e mundshme, që të kthehen, që të jemi bashkë, që të punojmë së bashku. Vendimi përfundimtar është i tyre. Shpresoj që përgjigja e tyre të jetë pozitive, pasi as nuk di të mbaj inate dhe as nuk hakmerrem. Kurrë dhe me asnjërin”, shkruan Kurti.

Në rast se Ymeri nuk do të rikthehet në krye të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ka kërkuar që secili të paraqesë platformën dhe të kandidojë për kryetar.

Në këtë pikë, thotë se edhe ai vetë do të jetë në garë për këtë post.

“Për më shumë, ata që mendojnë ndryshe, që kanë ide të tjera, si anëtarë e si zyrtarë të Lëvizjes, i inkurajoj edhe që të paraqesin platformat e tyre edhe të garojnë për kryetar të ri të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Afati për kandidim është deri të mërkuren, më 10 janar 2018.

Unë, tashmë si kandidat zyrtar për kryetar, jam në përfundim të hartimit të platformës time që do ta paraqes pas datës 10 janar. Kush ka ide të tjera dhe pretendon idealizëm, ka jo vetëm të drejtë por edhe detyrë që të garojë në këto zgjedhje të brendshme”, vijon reagimi i ish-kryetarit të “Vetëvendosjes”.

Kurti e mbyll postimin duke kërkuar debate në fushatë për zgjedhjet e brendshme. /k.k/noa.al/