Transmetuar më 02-01-2018, 16:15

Visar Ymeri, ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozicionet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.

Nëpërmjet një konferencë për media ai tregoi edhe arsyet e dorëheqjes së tij nga pozicioni i kryetarit të partisë, njofton Klan Kosova.

“Ky është një prej vendimeve më të vështira dhe një ndër ditët e mija më të këqija që i kam përjetuar. Më shumë se një vit po përballemi me një problem në rritje, të cilin as nuk e dua as nuk e përkrahi. Ky vit i fundit ka filluar t’i rrënojë themelet e Vetëvendosjes. Jemi përballur më një fushatë sistematike të shpifjeve, insinuatave, linçimeve, etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues dhe bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që e kanë shpërndarë një propagandë të tillë vazhdimisht janë thirr në emrin e Kurtit. Disa herë jemi marrë vesh që këto gjëra të ndalohen  thënë që kjo të ndalet nuk ka ndodh. Këtë metodë nuk e pëlqej nuk e mbështes, sepse kjo e dëmton shumë organizatën tonë – pra metodën e eliminimit politik. Kjo metodë është dëmshme sepse është informale, është e padrejtë sepse bazohet në shpifej është e panevojshme sepse lëvizja i ka organet e veta disiplinore edhe statusore. Njerëzit e angazhuar e veçanërisht ata në politikë edhe gabojnë por gabimet duhet të vënë në pah dhe duhet trajtuar, por të trajtohen si gabime,”-ka thënë Ymeri.

Ai ka vijuar më tej duke thënë

“Në momentin kur gabimeve i mveshën dyshime ku nuk ka arsye për një gjë të tillë atëherë gabim merr tjetër kuptim, trajtohet ndryshe dhe nuk gjen zgjidhje – vetëm sjellë probleme të reja dha na largon nga njëri tjetri. Ne të gjithë i jem besnik idesë e jo njeriut.

Unë jap dorëheqje në shenjë mospajtimin për këto zhvillime, por edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur ti ndal.Kohëve të fundit kam parë intensitet të shtuar të shpërfilljes së pozitës time si kryetar. Në këto rrethana është e pamundur të drejtosh –  e nëse nuk drejton s’ke pse mbetesh kryetar”.

Ymeri ka dhënë dorëheqje pak ditë pasi Albin Kurti është zyrtarizuar si kandidat për kryetar të Vetëvendosjes dhe një ditë para vendimit të Gjykatës Themelore për rastin e hedhjes së gazit në Kuvend ku të dyshuar janë katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.