Transmetuar më 01-01-2018, 12:21

Tragjedi për një familje e cila humbi djalin e saj në sekondat e para të vitit që sapo ka hyrë, pasi dyshohet se u vra nga fishekzjarrët që plasë gjithandej.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës duke u kryer ndërrimi i viteve, në qytetin e Laçit, raporton noa.al.

Djaloshi K.Gj., 16 vjeç, banues në Sanxhak të Laçit, kishte hipur në tarracën e godinës ku banonte, për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve.

Në rrethana ende të paqarta ai ka humbur jetën pasi mori një plagë në kokë.

Policia e Shtetit në një informacion paraprak që dha për noa.al, saktësoi se “më datë 01.01.2018, rreth orës 01:00 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Laç, është dërguar nga familjarët pa shenja jete, shtetasi i mitur K.Gj. 16 vjeç, banues në Sanxhak – Kurbin.

Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se ky shtetas ka hipur në tarracë të shtëpisë për të plasur fishekzjarrë, dhe është gjetur më pas nga familjarët në tarracë, pa shenja jete me një dëmtim në kokë.

Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e llojit të dëmtimit në kokë.

Grupi hetimor në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al/