Transmetuar më 31-12-2017, 08:47
Publicitet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri thirrje Kuvendit që të marrë sa më shpejt një vendim lidhur me demarkacionin. "Nuk ka arsye për t’u vonuar në këtë temë. Aktualisht çfarë dimë është se Kuvendi nuk ka votë për këtë marrëveshje.

Deputetët janë të lirë të vendosin në bazë të bindjeve të tyre. Nëse këtë marrëveshje e rrëzon Kuvendi, atëherë një derë mbyllet dhe një tjetër hapet. Do të gjendet një zgjidhje", ka thënë Haradinaj për Epokën e Re.

Ai tha se kjo marrëveshje ka gabime dhe se kufiri është zhvendosur nga Çakorri bë Kuqishtë dhe nga Kulla në Savinovodë.

"Korrigjimi është i mundshëm por ka shumë garanci që kur të ratifikohet, pastaj mund të ndodhë diçka. Ne nuk kemi ndonjë garanci që ta ratifikojmë kështu, pastaj ta korrigjojmë", ka shtuar ai.

Lidhur me çështjen e vizave, Haradinaj ka thënë se sa më shpejtë që vendos Kuvendi për demarkacionin, do të hapen edhe rrugët për liberalizimin.

"Jemi shumë të varur nga vendimi në Kuvend, prapë po e përsëris sa më shpejtë që Kuvendi merr vendim, përshpejtohet procesi. Kështu që është mirë që sa më shpejt të thirret seancë për këtë çështje dhe të mos vonohemi më shumë", pohoi ai. /b.l/noa.al/