Transmetuar më 28-12-2017, 11:47

Pas takimit me ministrin Damian Gjiknuri, naftëtarët kanë marrë lajmin e mirë lidhur me pagat. Në përfundim të takimit është rënë dakord që naftëtarët do të marrin 100% të pagës së tyre për muajin nëntor.

Qysh prej ditës së djeshme rreth 200 naftëtarë të uzinës së Ballshit janë në protestë, ku paraditen e sotme protestuan para Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës në Tiranë. 

Më pas gjashtë përfaqësues të naftëtarëve u thirrën në takim me ministrin Damian Gjiknuri, ku parashtruan kërkesat e tyre. Ata kërkojnë rrogat e prapambetura, marrjen e sigurimeve dhe rifillimin e punës në uzinë. 

Për shkak të një avarie të ndodhur në uzinë, disa javë më parë u plagos një punonjës dhe nisur nga kjo situatë, u pezullua puna, deri në momentin që do të përfundojë remonti i repartit të Koksit.

Takimi i sotëm është mbyllur me lajmin e mirë për pagat e nëntorit dhe për këtë garantohet se nesër në orën 13:00 thuhet se do kalojë në bankë. 

Lajmin e dha kreu i Sindikatës së uzinës. Por naftëtarët që kanë mbërritur në Tiranë në këmbë nuk besojnë dhe kërkojnë që paga të kalohet sot./b.l/noa.al/