Transmetuar më 27-12-2017, 10:54

Një vrasje me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të Mitrovicës në Kosovë.

Një person është gjetur pa shenja jete dhe me plagë në bark i shtrirë në rrugë afër mjetit tip “Ford Focus” me targa të Krushevcit (qytet në Serbi) rreth orës 05:30 të mëngjesit të kësaj të mërkure në rrugën “Car Dushan”.

Krimi është konfirmuar edhe nga komandanti i stacionit policor në veri të Mitrovicës Zhelko Bojiq.

“Ajo që mund të konfirmoj deri më tani është se në trupin e viktimës vërehen plagë. Policia është në vendin e ngjarjes”, tha Bojiq.

Edhe zëvendësi i tij Besim Hoti konfirmon rastin duke thënë se dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri pasi në pjesën e barkut të viktimës ka njolla gjaku. 

Sipas Hotit, nuk dihet ende identiteti i viktimës pasi ai nuk ka dokumente me vete. Mësohet se lidhur me rastin një person rreth 40 vjeç është shoqëruar në polici.

Policia e cila ndodhet në vendin e ngjarjes po punon për identifikimin e viktimës dhe kapjen e autorit si dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të vrasjes. /b.l/noa.al/