Transmetuar më 24-12-2017, 17:07

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, deklaroi dy ditë më parë në një intervistë për një televizion grek se pasardhësi i tij do të jetë shqiptar.

“E imagjinoni ne të kishim një gjë të tillë, a do të pranonim për shumë vite dikë nga Bullgaria apo nga Serbia në krye të Kishës? Jo, unë e quaj tepër të logjikshme që pasardhësi do të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam atje të krijojmë një koloni. Shkuam të krijojmë një Kishë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Janullatos.

Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, sipas burimeve pranë Institucionit të Presidencës mësohet se Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur t’i japë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, i cili është në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë prej 25 vitesh. Burimet bëjnë me dije se Presidenti Meta e ka firmosur tashmë dekretin.

Vendimi është bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës, ku Meta thekson mirënjohjen e tij për punën dhe përkushtimin e Kryepeshkopit në vendin tonë, për ringritjen e Kishës Ortodokse.

“Mirënjohje ndaj aktivitetit dhe përkushtimit shpiërtor tuajin. Keni treguar në këto 25 vite se udhëhiqeni nga besimi si dhe keni kontribuar në ringritjen e Kishës Ortodokse”, thekson mes të tjerave Presidenti Meta

Prej më shumë se 25 vitesh tashmë, Kryepeshkopi Anastas Janullatos është në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse.

LETRA E PLOTË E PRESIDENTIT META PËR KRYEPESHKOPIN JANULLATOS:

Fortlumturi,

Kremtimi i festës së Lindjes së Krishtit, më jep gëzimin e madh t’ Ju uroj nga zemra, Juve dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë Gëzuar Krishtlindjet!  

Uroj që kjo festë e bukur e Krishterimit, e cila mishëron njëkohësisht vlera hyjnore dhe njerëzore, të sjellë më shumë shpresë, lumturi e qetësi, dashuri e besim, harmoni e mirëkuptim dhe të forcojë më tej paqen në familje e në shoqëri, mes njerëzve e mes popujve, si kusht i domosdoshëm i begatisë së shoqërisë dhe përparimit të njerëzimit.

Në këtë ditë të bekuar për besimtarët e krishterë dhe për të gjithë shqiptarët, vlerat e tyre të veçanta të besimit, trashëgimia e harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer ndër-fetare, na bëjnë më të vetëdijshëm e njëkohësisht krenarë për këtë pasuri shpirtërore e njerëzore dhe rëndësinë e dimensionin e saj të patjetërsueshëm e të pazëvendësueshëm.

Kjo vlerë e pasuri shpirtërore unike, historike dhe kombëtare e popullit tonë është trashëguar dhe është ruajtur, kultivuar e përcjellë brez pas brezi falë mundit, sakrificës, përpjekjeve, përkujdesjes dhe ndjenjës së lartë të përgjegjësisë e detyrimit të besimit të fortë shpirtëror të udhëheqësve të besimeve fetare të shqiptarëve.

Jam i lumtur të pohoj se Fortlumturia Juaj i përket pikërisht këtyre udhëheqësve të nderuar të besimeve fetare të popullit shqiptar.

Gjatë 25 viteve si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke kontribuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rimëkëmbjen dhe ngritjen e objekteve të besimit ortodoks, në ringjalljen, kultivimin dhe ruajtjen e traditës shumëshekullore të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në ndërtimin e veprave në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit në Shqipëri, keni dëshmuar se udhëhiqeni nga besimi, dashuria, paqja, shpresa dhe mësimet e veprat e shenjta të Zotit.

Fortlumturisë së Tij,

Anastas Jannullatos

Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit

dhe gjithë Shqipërisë

E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin Tuaj të palodhur ndërkombëtar, vizitat në Vatikan dhe në vende të shumta të botës, duke i shërbyer jo vetëm njohjes ndërkombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por veçanërisht përhapjes, përtej kufijve të Shqipërisë, të vlerave e pasurisë së harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar.

Përkushtimi Juaj shembullor shpirtëror dhe kontributi juaj gjatë këtyre viteve, është vlerësuar me të drejtë me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Korçës dhe Durrësit dhe me urdhrin e lartë të Presidentit “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kontributin e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe forcimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar.

Çmoj e shpreh mirënjohje, veçanërisht për ndihmën Tuaj dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj vëllezërve tanë nga Kosova, gjatë krizës së rëndë humanitare të vitit 1999.

E vlerësoj lart kujdesin dhe vëmendjen që keni treguar për arsimimin dhe përgatitjen e brezit të ri të klerikëve shqiptarë dhe krijimin e qendrave rinore në qytete e fshatra të ndryshme, duke ruajtur kështu trashëgiminë e çmuar shqiptare të këtij besimi dhe identitetin e tij, larg influencave, tendencave dhe ndikimeve të huaja, të padobishme dhe të rrezikshme për bashkësinë shqiptare ortodokse dhe për vetë popullin shqiptar.

Fortlumturia Juaj,

Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjeve, jam shumë i lumtur t’ Ju bëj me dije se kam marrë vendimin, edhe në vijim të vullnetit Tuaj “…për të vërtetuar lidhjen e pandashme me vendin që doni sinqerisht dhe i shërbeni me vetësakrifikim…”,  t’ Ju jap shtetësinë shqiptare, nëpërmjet Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 10700, të datës 22 dhjetor 2017.

Duke shprehur bindjen time se ky veprim, jo vetëm përmbush një detyrim institucional, por është edhe shprehje e mirënjohjes ndaj Jush dhe aktivitetit e përkushtimit Tuaj shpirtëror në Shqipëri, Ju uroj sërish Juve, besimtarëve ortodoksë, të krishterë e të gjithë shqiptarëve, të kalojnë Krishtlindje të bukura, të gëzuara dhe të lumtura dhe lutjet e kësaj ditë të shenjtë të sjellin më shumë paqe, dashuri, harmoni e mirëkuptim jo vetëm mes nesh, por edhe mes të gjithë kombeve të botës.(e.c/noa.al)