Transmetuar më 23-12-2017, 18:39
Publicitet

Ambasadorët në Kosovë, më konkretisht ata të QUINT-it, nuk e kanë pritur mirë iniciativën për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Ata u kanë kërkuar liderëve institucionalë që ta ndalojnë këtë përpjekje. Lajmin e bëri publik kryemistri i Kosovës, në një intervistë për KosovaPress, por Ramush Haradinaj tha se do të mirëpresë çdo rezultat të dalë nga Kuvendi.

“Kanë kërkuar që të ndalet kjo iniciativë, pra për të mos proceduar më tutje, mos të ndodh shfuqizimi i Ligjit për Specialen, që është diçka e pritshme realisht, kur i dimë marrëdhëniet, i dimë raportet me ta, e pritshme”, tha Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit, ka shtuar se partia që ai drejton do të votonte pro, sepse qëndrimi i tyre kundër kësaj Gjykate nuk ka ndryshuar, pavarësisht se ai drejton Qeverinë.

“Aleanca dhe unë kemi votuar kundër kur është themeluar Gjykata, sepse e nxjerr Kosovën në pozitë të pabarabartë dhe të vështirë në imazhin ndërkombëtar.

Ne, atëherë kemi vlerësuar se gjykimi duhet të ndodhë në vend dhe sot jemi për atë, që Kosova jo t’i ikë drejtësisë, por këto të ndodhin në vend”, theksoi ai.

Pas nënshkrimit të 43 deputetëve të pozitës mbrëmë, u kërkua seancë e jashtëzakonshme për ta votuar ligjin i cili do ta shfuqizonte ligjin aktual për Gjykatën Speciale. /k.k/noa.al/