Transmetuar më 22-12-2017, 19:00

Nga Astrit Patozi

(Ose një përpjekje modeste për të gjetur Jeruzalemin tonë)Jeruzalemi ka qenë, është dhe do mbetet edhe për një kohë të gjatë kërthiza e botës, por kjo histori nuk vlen shumë për Shqipërinë. Këtë nuk e them për nënvlerësim të rolit të saj në politikën globale, dhe as me hallet tona të shumta, që shkojnë shumë përtej betejës planetare, që është sa mitike, aq religjoze dhe politike për të dominuar kryeqytetin e botës, apo qendrën e përplasjes së qytetërimeve.Fakti që ne në Tiranë përleshemi njësoj për Jeruzalemin, ashtu si edhe për kushtetutën tonë, lidhjet e politikës me krimin apo për vjedhjen e zgjedhjeve, nuk na bën aspak nder si shqiptarë. Përkundrazi, ajo na nxjerr më shumë zbuluar, si pazarxhinj të vegjël dhe hipokritë, që nuk mund të jemi dot asnjë cast dinjitozë, madje edhe atëherë kur pozicioni ynë ka vetëm vlerë honorifike. Por mbi të gjitha të cekët, që nuk dimë të ndajmë betejat reale për fatet e vendit dhe kombit tonë, me ato imagjinare apo ato aspak të rëndësishme, por i turremi njësoj shoshoqit.Nëse do ta kisha pasur në dorë votën e djeshme në Organizatën e Kombëve të Bashkuara, do të kisha vendosur pa asnjë hezitim që ajo të shkonte në mbështetje të qëndrimit amerikan. Pa u menduar gjatë, por thjesht për të theksuar një cilësi, që të paktën duhet ta kishim, e cila mund të mos vlejë fare për diplomacinë, por që ka rëndësi jetike për raportet tona me aleatin strategjik, mirënjohjen historike. Edhe po të isha i bindur se Uashingtoni e kishte plotësisht gabim, me justifikimin e argumentuar, se edhe në do të ishte i tillë, askush nuk do të na bënte ne përgjegjës, njësoj siç nuk mund të fajësohet miu i hipur në kurrizin e elefantit, pse ky i fundit dëmton pyllin.Nëse do të kisha qenë një politikan pragmatist dhe i llogaritur, mund të më kishte vajtur në mendje edhe abstenimi, si një formë oportuniste për të qenë në mes palëve, pa marrë minimumin e kostos dhe të përgjegjësisë.Por e kam shumë vështirë të pranoj logjikën e Ditmir Bushatit, i cili e përligj votën tonë me koherencën e të drejtës ndërkombëtare dhe të rezolutave të mëparshme, që do të thotë me fjalë të tjera, se Uashingtoni i bie të ketë qenë tërësisht kundër tyre. Por po e zemë për një cast se kjo na qenka e vërtetë, se edhe Amerika nuk është e pagabueshme, mendon kush në këtë vend se është caktuar Shqipëria që ta ndajë se kujt i takon e drejta? Nuk e besoj se ka të tillë.Do të kishte qenë më e ndershme, që të thuhej se në një debat mes Amerikës dhe Europës, në zgjodhëm të dytën, pa qenë nevoja të jepeshin shpjegime të mëtejshme. Unë nuk dua të besoj fjala vjen, se kryeministri Edi Rama ka shkuar aq larg në delirin dhe përfytyrimin për rolin e vet në zhvilllimet botërore, sa ta ketë trajtuar votimn në OKB si fushatat tona elektorale, ku duhet të jesh patjetër me shumicën, se kjo do të kishte qenë shumë e rëndë. Ka shumë raste në jetë ku e drejta dhe interesi nuk shkojnë në përputhje me numrat.Dyshoj shumë që e vërteta e votës në OKB nuk ka lidhje fare me parime politike apo diplomatike, por është një refleks i shëmtuar i besëlidhjeve mes sulltanëve ballkanike ose lindorë, që interesat personale i konsiderojnë si çështje kombëtare të vendeve të tyre.Por nga ana tjetër unë e kam po kaq vështirë të pranoj edhe opozitën e Lulzim Bashës me qeverinë për këtë çështje, sepse kërcet dhe stonon po aq sa edhe argume tet e Ditmir Bushatit. Sepse zoti Basha është njeriu i fundit në Shqipëri, që mund të marrë në dorë flamurin e rreshtimit të verbër me politikën amërikane. është vendi për të kujtuar sot se Jeruzalemi është çështja me e largët, që mund ta lidhi Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara, dhe natyrisht nuk ka ngelur që prej saj të përcaktohet niveli i shkëlqyer i marrëdhenieve shqiptaro-amerikane.Gjashtë muaj më parë, Lulzim Basha ishte qartësisht kundër Uashingtonit zyrtar, kur për gati 100 ditë me radhë kërcënoi me bojkotimin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike. Ndërsa në verën e vitit 2016 ishte i njëjti person, që për pak u bë shkak për dështimin e reformës në drejtësi, me pretendimin e mbrojtjes së sovranitetit të vendit nga përfshirja e të huajve (SHBA-BE) në procesin e vetting-ut.Por është më keq se kaq. Pasi i cfiliti dhe i cingërisi nervat zyrtarëve të Uashingtonit dhe Brukselit për muaj të tërë, Lulzim Basha pranoi një marrëveshje (pazar) të çastit të fundit me Edi Ramën dhe hyri më në fund në zgjedhje, të cilat i humbi pastaj me sukses të plotë. Por sapo e mori pak veten nga disfata katastrofike, ai deklaroi, pa iu dridhur qerpiku, se e kishte bërë këtë ngaqë Shtetet e Bashkuara e kishin kërcënuar. Është një tezë sa e pavërtetë, aq edhe qesharake, të cilën, edhe kur nuk e shqipton vetë, e kanë merak ta thonë ndjekësit e pakët, që i kanë mbetur.Natyrisht, askush nuk pret që të dalë dikush nga ambasada e Rrugës së Elbasanit apo Departamenti i Shtetit që të thotë se Lulzim Basha po gënjen, pasi kjo nuk është praktikë diplomatike. Aq më tepër, kur kryetari i Partisë Demokratike, kështu siç kanë ardhur punët, atyre u duhet vetëm një herë në dy vjet, përpara se të mbahen zgjedhjet. Por është e sigurt se çdo fjalë dhe qëndrim i tij shqyrtohet me lupë, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, për aq sa peshë ka.Ndaj, Lulzim, mos harxho shumë energji dhe fjalë duke bërë si i shqetësuar për çdo gjë që të del përpara, por merru me çështjet thelbësore të opozitës. Jeruzalemi ynë nuk mund të jetë asnjëherërë rezoluta e OKB-së, e aq më pak caktimi përfundimtar i datës së Çlirimit, është 28 apo 29 nëntori. Ato janë korrupsioni, padrejtësia, politikanët e inkrimuar, trafiqet, varfëria, e plot plagë të tjera të kësaj shoqërie, për të cilat ia vlen të bësh beteja si opozitar.Ti nuk mund të jesh “sovranist” i pamposhtur, kur Amerika kërkon të ndryshojë për mirë Shqipërinë, por kjo të cënon interesat e tua, dhe proamerikan i tërbuar vetëm për Jeruzalemin apo për çështje të tjera botërore, që nuk lidhen fare ose kanë fare pak vlerë për vendin apo kombin shqiptar. Sepse, jo vetëm nuk ta pranon njeri, por mbi të gjitha fyen edhe inteligjencën e vetë Uashingtonit.