Transmetuar më 18-12-2017, 17:40

Më 31 dhjetor skadon afati i faljes së taksave të papaguara të automjeteve.Në fillim të amnistisë rezultonin rreth 100 mijë mjete debitore, pasi për dhjetë vite nuk kishin kryer asnjë veprim financiar, apo kontroll teknik.

Nga të dhënat Drejtorisë së Transportit Rrugor deri në nëntor 2017, rezulton se nga falja kanë përfituar afërsisht 10 për qind e subjekteve. Më konkretisht janë çregjistruar mbi 11 mijë 300 automjete, kurse janë falur kamatëvonesat per 1.076 mjete, raporton Top Channel. 

Vlera e taksave që propozoheje të fshihej me këtë ligj pas çrregjistrimit të mjeteve ishte 5.3 miliardë lekë, ndërkohë deri tani borxhi i falur është rreth 20 për qind, ose rreth 1 miliard lekë.

Subjektet që duan të mbajnë mjetin në qarkullim u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim.

Falen po ashtu kamatëvonesat për mospagesë së taksave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen me kushtin e pagesës së të gjitha detyrimeve të plota. Nëse ata që kanë detyrime nuk paraqiten, çregjistrohen të gjitha mjetet për të cilat nuk është kryer asnjë veprim pas periudhës 31 dhjetor 2011, pjesa tjetër do të ngelet me borxhe ndaj fiskut.