Transmetuar më 15-12-2017, 10:46

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të vazhdojë të mos lejohet të ikë nga Shqipëria. Masa e marrë pak ditë më parë është konfirmuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Ndaj Tahirit është marrë masa e sigurisë ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’. Ndërkohë avokati i ish- ministrit Tahiri ka deklaruar se gjykata është një noter i prokurorisë dhe se çështjen do ta çonte në apel.

Ai deklaroi pas përfundimit të seancës, se e prisnin një vendim të tillë të gjykatës. “Ne e prisnim këtë vendim, pasi kjo gjykata është kthyer në një notere të kërkesave të prokurorisë”, tha Haxhia.

Brenda në seancë, Tahiri dhe Haxhia thanë se nuk ka kurrfarë rreziku që ish-ministri të arratiset jashtë vendit. Tahiri tha se është deputet dhe ka lëvizur lirshëm jashtë.

Ish-ministri u shpreh se do përballet me drejtësinë deri në fund. “Kurrsesi nuk do largohem. Mund të jem edhe në arrest shtëpie, por nuk do e bëj diçka të tillë”, tha Tahiri.

Ish- ministri u paraqit sot rreth orës 09:30 minuta në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’iu komunikuar masa shtrënguese që ka marrë ndaj tij gjykata, për bllokimin e pasaportës dhe mos lejimin e tij të largohet nga Shqipëria.

Tahiri shoqërohej nga avokati i tij, Maksim Haxhia. Seanca u mbajt nga gjyqtarja Liljana Baku, e cila është edhe gjyqtarja që ka shqyrtuar masën e sigurisë.

Kërkesa për thirrjen e Tahirit është bërë në bazë të nenit 248 të kodit të procedurës penale, ku gjykata brenda pesë ditësh thërret personin ndaj të cilit është dhenë masa  për t’ia komunikuar. /b.l/noa.al/