Transmetuar më 15-12-2017, 09:26

Goditet rrjeti i trafikut të drogave të forta në Durrës, ku një person ka përfunduar në pranga dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa është sekuestruar edhe një sasi heroine.

Burime policore bëjnë me dije se në pranga është vënë Bledar Tahiri  39 vjeç, banues në Shijak, ndërsa janë shpallur në kërkim E.K., 36 vjeç, banues në Shijak; E.R., 34 vjeç, dhe L.Ç., 39 vjeç, të dy banues në Durrës.

Gjatë ditës së djeshme pas një pune hetimore intensive dhe të mirë organizuar, në qendër të Shijakut, Bledar Tahiri u kap në flagrancë në sajë të operacionit antidrogë të koduar "Bridge" dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale: rreth 179 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë e ndarë në 30 doza, një peshore elektronike; një aparat telefoni celular.

Nga hetimet e kryera u dokumentua me prova shkencore se shtetasit e mësipërm janë të përfshirë në veprimtari kriminale ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit heroinë në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.

Bledar Tahiri, në rolin e ndërmjetësit ia  blinte lëndën narkotike shtetasit E.K., dhe më pas ua shiste shtetasve E.R., dhe L.Ç., kundrejt një pagese.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim në ngarkim të Bledar Tahiri dhe E.K. “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të E.R., dhe L.Ç., dhe E.K./b.l/noa.al/