Transmetuar më 14-12-2017, 21:42

Pak ditë pasi ndaj tij u referua në prokurori vepra penale për “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, imam Armand Aliu ka sqaruar sërish statusin e tij në “Facebook” ku i bënte thirrje besimtarëve myslimanë që të mos festonin 28 nëntorin, pasi ishte kundër rregullave të Islamit.

I ftuar në emisionin ‘Të pa ekspozuarit’ në “News24”, imami shpjegon se çfarë i kishte ndodhur pas statusit që kishte bërë në rrjetet sociale, madje edhe mesazhin që donte të përcillte.

Ai tha se një ditë pas kërkesës që u kishte bërë besimtarëve, Drejtoria e anti-terrorit e kishte thirrur për ta marrë në pyetje, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Më thirri anti-terrori pas një statusi që bëra për festimin e festës së Pavarësisë. Më thanë kemi dy çështje, një për festën dhe një çështje tjetër, por në fillim do fillojmë me çështjen e dytë. Më pyetën si fillim me çështjet fetare, pastaj me çfarë jam marrë. Pasi mendojnë se mos jam i pasur ose mos sponsorizohem nga ndonjë sheik. Më thanë ku e ke gjetur këtë thënie. Ata u hoqën edhe si teologë.

Kemi lexuar në kuran dhe nuk e kemi parë ndalimin e 28 nëntorin. I thashë është fjala e profetit, i thashë e ka transmetuar në një libër, dhe ja shpjegova. Unë e shkurtja për t’u treguar myslimaneve çfarë ju lejohet çfarë nuk u lejohet nga feja. U thash se më intereson t’u tregoj myslimanëve se çfarë u jetohet apo jo besimtarëve. Më thanë se ke fyer elementet kombëtare.

Unë skam bërë asgjë. Se kam sharë kurrë Gjergj Kastriotin. Unë kam thënë se nuk lejohet që të falesh para një busti. Mediat i kanë përpunuar dhe shtrembëruar. Më pyetën nëse kisha nxitur urrejtje me statusin. Unë u thash se jo. Se festat në islam janë adhurim, dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

Allahu na i ka zëvendësuar me dy ditë më të mira, Bajram i madh dhe i vogël, lejohen vetëm këto. Për këto festa ka adhurime të veçanta, prandaj profeti na ka lejuar vetëm këto. S’mund të fusim çdo festë që duam ne.”, tha Aliu.

Imami Armand Aliu deklaroi mbrëmjen e sotme se pasi është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Drejtoria e Anti-terrorit ka marrë kërcënime. Ai deklaroi se u kërcënua me thyerje brinjësh nga shefi i anti-terrorit dhe në prokurorinë e Tiranës gjatë kohës që u mor në pyetje, pas thirrjes që u bëri besimtarëve myslimanë të mos festojnë 28 nëntorin, pasi ishte haram.

“Jam kërcënuar me thyerje brinjësh nga shefi i anti-terrorit. Një nga SHKB-ja dhe një nga prokuroria e Tiranës.”, tha imami. Ai pohoi se e vetmja gjë që kishte shkruar në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ishte vetëm fjala e Profetit. Policia referoi në prokurori vepra penale për “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.