Transmetuar më 14-12-2017, 18:54

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 ka bërë një kronologji të çështjes Tahiri si dhe ka zbuluar detaje të reja për ngjarjen.

Hoxha tha se më datë 27 tetor, Prokuroria e Katanias ka nisur një procedim individual, jo si pjesë të dosjes “Habilaj” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ky vendim i Prokurorisë së Katanias, që sipas gazetarit Hoxha pritet të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen, erdhi 4 ditë pasi vetë Tahiri u paraqit në këtë Prokurori për të marrë një vërtetim ku thuhej se nuk kishte një hetim apo procedim ndaj tij.

“Çështja është regjistruar në Prokurorinë shqiptare me datë 17 tetor pas lajmit nga mediat italiane se ishin arrestuar Habilajt. Më pas Prokuroria e çon materialin në Kuvend, që të autorizohej arresti për Saimir Tahirin. Me datë 23 tetor, Tahiri mori një vërtetim në Prokurorinë e Katanias ku thuhej se nuk kishte një hetim apo procedim ndaj tij. Në dijeninë time është në procedim individual të nisur më 27 tetor, dhe jo si pjesë e dosjes Habilaj, nga Prokuroria e Katanias. Tani kemi një hap zyrtar, që do ndihmojë për të hedhur dritë edhe në zhvillimet në Shqipëri,” tha Hoxha. (e.c/noa.al)