Transmetuar më 14-12-2017, 17:54

Dy efektivë të policisë kufitare kanë rënë pranga mbrëmjen e kësaj të premte të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Në pranga kanë rënë Timo Ciko, 50 vjeç, shef i ruajtjes së kufirit të gjelbër, dhe Bledar Duçka, 43 vjeç, trup shërbimi për kufirin e gjelbër, që të dy në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër.

Sipas policisë, pas marrjes së informatave në rrugë operative nga ana e SHÇBA-së për shpërdorim detyre të dy efektivëve, u organizua operacioni  ‘Green border’.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dy efektivët e policisë ishin pjesë e një rrjeti të organizuar të kalimit të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.

Ndërkohë në flagrancë është arrestuar edhe Shpëtim Brakaj, 41 vjeç, nga Fieri. Hetimet kanë zbuluar se kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare, siguronin kushtet për të kaluar drejt Greqisë në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Ata që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mos përmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollar, telefona celularë dhe 1 automjet.

Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar. (e.c/noa.al)