Transmetuar më 14-12-2017, 16:48

Pak ditë pas vendimit për bllokimin e pasaportës që i kufizon lëvizjen jashtë shtetit, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të përballet këtë të premten me Gjykatën për Krime të Rënda.

Seanca pritet të zhvillohet në orën 09:30 dhe Tahiri duhet të japë shpjegime përpara gjykatëses Liljana Baku për të gjitha faktet dhe provat që kanë dalë nga përgjimet e autoriteteve italiane në dosjen “Habilaj”, për implikim të tij në trafik droge.

Sipas asaj që parashikon ligji, nga momenti i firmosjes së vendimit, gjykata brenda afatit pesë ditor duhet të thërrasë në një seancë marrje në pyetje, personin ndaj të cilit ka caktuar masë shtrënguese.

Për këtë arsye mësohet se ish-ministrit i është dërguar fletë-thirrja, i cili pritet të paraqitet bashkë me mbrojtësit e tij ligjorë dhe të paraqesë prova për të kundërshtuar masën shtrënguese të bllokimit të pasaportës.

Kjo masë u mor nga Krimet e Rënda me kërkesë të prokurorisë, pas analizimit të dosjes së dytë prej afro 2 mijë faqesh që mbërriti nga Italia.

Në këtë dosje Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët, lakojnë emrin e ish-ministrit, i cili nga përgjimet rezulton se ka përfituar dhurata të majme nga grupi kriminal. (e.c/noa.al)