Transmetuar më 13-12-2017, 15:50

Komisioni i Ligjeve ka nisur seancën dëgjimore me shtatë kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës, në mungesë të opozitës, e cila ka bojkotuar punimet e mbledhjes së sotme.

Përveç PD, as LSI nuk është bërë pjesë e mbledhjes. Kandidatët në garë për postin e kreut të akuzës, janë Ferdinand Elezi, Arta Marku, Arqile Koça, Besnik Muçi, Granit Shehu, Ermira Tafani dhe Artur Sulemani janë në garë për të pasuar Adriatik Llallën në detyrë.

Të gjithë kandidatët do të zhvillojnë një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas, të shtatë emrat do të shkojnë në seancë plenare për t’u votuar.

I pari që po shpalos arsye se pse duhet të jetë kryeprokuror është Arqile Koça, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ai tha në fjalën e tij se, “Duke qenë i përkohshëm nuk kam bërë një platformë, sepse edhe koha nuk e mundëson një gjë të tillë”.

Koça tregoi se e kishte nisur punën si prokuror në Korçë e më pas edhe si kryetar i Prokurorisë së Devollit, e më pas nga marsi i vitit 1997 e deri më tani është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Po ashtu bëri me dije se ka marrë pjesë në hetimet për çështjen “Gërdeci” dhe “21 Janari”. Ai deklaroi se gjatë detyrës së tij, prioritet do të ketë vijimi i reformës në drejtësi. /a.y/noa.al