Transmetuar më 13-12-2017, 13:48

Edhe pse prej dy javësht tashmë është shpallur fitues Sabri Laçi në zgjedhjet për dekanin e ri të Fakultetit të Histori-Filologjisë në Tiranë, polemikat dhe akuzat nuk mungojnë.

Është pedagogu Mark Marku i cili thotë se procesi zgjedhor ka pasur manipulime të votave.

Në intervistën e tij për gazetën "Shekulli", Marku flet për klane të jashtme mafioze, që sipas tij duan të mbajnë "status quon" e universitetit dhe të kenë ndikim mbi përzgjedhjen e kandidatëve.

“Unë mendoj se ajo kasa mafioze e universitetit, mafia e tenderave e kanë bërë dhe herë të tjera. Problemi është shpërndarë nëpër universitete, por këtu vëmendja ka qenë shumë e përqendruar dhe fakulteti jonë është i vogël, ka personalitete të jetës publike dhe këtu ka shpërthyer sistemi i manipulimit. Unë mendoj se është arritur një fitore jo vetëm sepse ka fituar dikush, se mund ta arrinte kushdo nga kolegët tanë, por është testuar se këtu strukturat zgjedhore janë struktura manipulimi, që vota e pedagogeve është manipuluar jo vetëm këtu, por në të gjitha zgjedhjet e tjera nëpër fakultete dhe këtu ka qenë vëmendja më e përqendruar”, është shprehur Marku.

Pjesë nga intervista:

Ka zëra që thonë se z.Laç i është me partinë Socialiste dhe konkurrentja znj.Jubani është me Partinë Demokratike. A është ky një konstatim që të shtyn të mendosh për përkrahje nga forcat politike?

Ka vetëm një fakt që kandidatja e tjetër, znj.Aljuja është e përfshirë në strukturat e PD-së në komisionin e arsimit. Mua nuk më intereson fare se më kë parti janë, pasi çdo pedagog ka bindjet e veta politike.

Nëse ne mendojmë se z.Sabri Laçi është me forcën e majtë, këta zëra mund ta konsiderojnë si të favorizuar në këtë proces votimi?

Ne kemi etikë që mos të pyesim një koleg për prirjet e tyre politike. Ky proces zgjedhor nuk ka pasur lidhje me politiken.

Pse mendoni se ka qenë më e favorizuar kandidatja znj.Aljula Jubani?

Unë e di që ajo është mbështetur nga Velentina Duka, që sot është deputete e PD-së. I vetmi problem etik që kemi ne si pedagogë është se, as Valentina Duka, as Shezai Rrokaj nuk mund të përcaktojnë nga jashtë dekanin e fakultetit. Këtë mund ta them etikisht, pasi nuk është normale që 85 pedagogëve t’u përcaktohet nga jashtë pasardhësi, nuk është e drejta feudale në universitet. Ne kemi dashur ti japim fund të drejtës feudale të përcaktimit të kandidateve sipas klaneve, grupeve te cilët e dominojnë universitetin. E vetmja beteje është këtu, pastaj politikisht të gjithë janë të shpërndarë, dikush me PD-në, dikush PS-në. Kemi një etikë kolegësh, ku secili ka bindjet e veta. (e.c/noa.al)