Transmetuar më 12-12-2017, 15:24

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se pas shkeljes së ligjit nga ana e kryetarit të KQZ, Klement Zgurit në rastin e kryebashkiakut Agron Kapllanaj, sot në KQZ po konsumohet një vepër e rëndë penale.

Ai thotë se vepra po kryhet përsëri me autor kryesor Klement Zgurin, nën urdhrat e Lulzim Bashës.

Taulant Balla akuzon se i vendosur nën hetim në Shqipëri dhe jashtë saj për transferimin e paligjshëm të 1 milionë dollarëve përmes disa llogarive të dyshimta në një shtet të vogël të Amerikës Qendrore, sot Lulzim Basha po mundohet të prishë provat e veprës penale, por dhe të shkeljes administrative të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

““Dora” e shpërdoruar e Lulzim Bashës në KQZ, Klement Zguri po mundohet t’i japë mundësi Partisë Demokratike të ndryshojë Raportin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore, të partive politike të cilat morën pjesë në Zgjedhjet e 25 Qershorit. Përpjekja e dy shkelësve të ligjit Basha-Zguri synon ndryshimin e një dokumenti zyrtar, i cili prej momentit të fillimit të hetimit është një ndër provat e fajësisë në pagesat dhe shpenzimet e padeklaruarara të PD gjatë fushatës zgjedhor”, shprehet Balla.

Ai thotë se sipas draftit të përgatitur nga kryetari Klement Zguri, KQZ (shumica) pritet të dalë me vendimin “meqenëse partitë politike kanë patur pasaktësi në raportet financiare të depozituara ne KQZ”, atëherë KQZ iu jep edhe 10 ditë të tjera afat për të sjellë çdo dokument që ato vlerësojnë se mungon në lidhje me të ardhura apo shpenzime gjatë periudhës zgjedhore.

Por ai nënvizon se ky vendim është tërësisht i pabazuar në Kodin Zgjedhor.

Balla deklaron se KQZ sot duhet të miratojë sot raportin e verifikimit dhe të ndëshkojë të gjitha subjektet politike që kanë shkelur Kodin.

“I bëj thirrje Klement Zgurit të heqë dorë nga kjo shkelje e rëndë e ligjit dhe të mos shpërdorohet nga personi i vendosur në hetim Lulzim Basha”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Taulant Balla. /a.y/noa.al