Transmetuar më 12-12-2017, 15:05

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili ndodhet në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate, ka zhvilluar një sërë takimesh, mes tyre dhe me komisionarin për zgjerimin Johannes Hahn.

Bushati thotë se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e reformave që lidhen me çeljen e negociatave për integrimin evropian, çka sipas tij, u konfirmua edhe gjatë këtij takimi qartazi nga vendet anëtare.

Ministri shprehet se viti 2018 është shumë i rëndësishëm për ne dhe për rajonin.

“Ndaj procesi i zbatimit të reformave duhet të vijojë me këmbëngulje pavarësisht pengesave dhe rezistencës së aktorëve të ndryshëm politikë sepse çelja e negociatave për anëtarësim në BE është dhe duhet të përbëjë përparësi kombëtare”, shkruan Bushati në Facebook.

Ai publikon dhe fotografi nga aktiviteti ku është i pranishëm, mes tyre dhe me komisionerin Hahn. /a.y/noa.al