Transmetuar më 12-12-2017, 14:40

Partia Demokratike reagon ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për pengimin për të dalë jashtë vendit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, thotë se Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda dhanë një provë tjetër sot për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas tij, ndalimi i Saimir Tahirit për të dalë jashtë vendit është vendim i drejtë, që tregon se rrethi për Saimir Tahirin dhe shefin e tij, Edi Rama, po ngushtohet.

“Çdo ditë që kalon provon: Se Saimir Tahiri është pjesë e rëndësishme e dosjes së prokurorisë Antimafia të Katanias, se Saimir Tahiri ka vendosur policinë në shërbim të trafikut ndërkombëtar të drogës, se Saimir Tahiri ishte mbrojtja politike e Habiljave në Tiranë. Se Saimir Tahiri ishte vetë i mbrojtur nga Edi Rama, që përfitoi nga kanabizimi i vendit miliona euro për blerjen e pushtetit të tij politik”, u shpreh Alibeaj.

Ai tha më tej, se siç tregojnë dokumentet e publikuara në media, dhe siç sipas tij ka deklaruar opozita prej më shumë se dy vjetësh, Shërbimi Informativ Shtetëror e ka vënë në dijeni Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për përfshirjen e 127 drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, të paktën që nga marsi i 2016-ës deri në prill të 2017-ës.

Alibeaj deklaron se Edi Rama jo vetëm që e mohoi aktivitetin kriminal të mbjelljes së kanabisit nën mbrojtjen e policisë dhe Saimir Tahirit, por shpalli opozitën si pjesë e Frontit të së Keqes, që po hidhte baltë mbi vendin, mbi Edi Ramën dhe mbi Saimir Tahirin, ministrin e tij model të suksesit.

Në këtë linjë nënvizon se tani, drejtësia po provon që Saimir Tahiri ka bërë lëvizje të shpeshta me grupin e tij kriminal të Habilajve, që trafikonin kanabisin nga Shqipëria në Itali.

“Drejtësia po provon që edhe 863 mijë eurot e gjendura në makinën e Orest Sotës, i përkasin Saimir Tahirit. Drejtësia është çështje kohe, nëse prokuroria nuk do të merret nën kontroll nga Edi Rama!”, tha në mbyllje deputeti demokrat. /a.y/noa.al

Gjykata merr vendimin, Tahiri nuk lejohet të dalë nga Shqipëria Bllokimi i pasaportës, avokati i Tahirit: Prokuroria qesharake, si kofini pas të vjelave

Ministri italian pyetet për Tahirin dhe Habilajt: Nuk komentoj veprimet e drejtësisë