Transmetuar më 12-12-2017, 13:48

Fëmijët e ciklit parashkollor janë bërë protagonist sot të një sherri mes mësueses së tyre dhe drejtoreshës së shkollës.

Ngjarja e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në një nga kopshtet e qytetit të Korçës.

Mësuesja e identifikuar si Zana Brahimllari është dhunuar fizikisht nga drejtoresha e kopshtit Laureta Asllani brenda ambienteve të klasës në sy të fëmijëve.

Burime nga spitali bënë me dije se mësuesja është larguar pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm shëndetësor dhe më pas i është drejtuar komisariatit të Korçës për të bërë kallëzimin ndaj drejtoreshës.

Nuk dihen ende arsyet që i ka çuar këto dy mësuese që të konfliktohen deri në përdorimin e dhunës, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Deklarata e policisë mbi ngjarjen

Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale : “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal pasi:

Më datë 12.12.2017, ka bërë kallëzim shtetasja S.B, 50 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë

mësuese parashkollore në kopshtin nr 9, e cila ka deklaruar se më datë 11.12.2017, është konfliktuar për motive të dobëta me drejtoreshën e kopshtit, shtetasen L.A, 38 vjeçe, banuese në Korçë, në ambientet e brendshme të këtij institucioni.

Nga ana e Policisë, u kryhen veprimet proceduriale dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./b.l/noa.al/