Transmetuar më 12-12-2017, 13:01

“Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vettingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë”.

Është kjo ajo që thotë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si përgjigje ndaj ftesës së Kryeministrit Edi Rama për t’u ulur në dialog.

Ai shton se që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, dhe se ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta.

Sipas tij, reforma në drejtësi është në Kushtetutë dhe nënvizon se nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës.

“Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake.

Ne mbështesim pa asnjë rezervë procesin e vettingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin”, deklaron Lulzim Basha.

Ai thotë se ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës, mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kryedemokrati bën thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë dhe që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

​Më herët Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje kreut të opozitës Lulzim Basha, për gjetjen e një dialogu politik.

“LB është koha për të vënë drejtësinë mbi frikën nga drejtësia; dialogun mbi çdo mjet tjetër politik; negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE mbi gjithçka që na ndan në parti të ndryshme”, shkroi Rama në Facebook.

Ky qëndrim vjen pak pasi ambasadori amerikan Donald Lu, bëri një deklaratë të fortë, ku tha se sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.

Diplomati amerikan deklaroi se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë.

“I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojmë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i përfundoi mandati 5 vjeçar me 7 dhjetor. Të dy palët duhet ti japin fundit epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”, u shpreh Lu.

Ai shtoi më tej se reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut.

“Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”, deklaroi ambasadori amerikan ditën e sotme, i pranishëm në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit.

Ai nënvizoi se sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. /a.y/noa.al