Transmetuar më 12-12-2017, 12:47

Shaban Kapllanaj kërkon drejtësi për të birin që një vit më parë u hodh nga terminali i Rinasit dhe mbeti i vdekur. Policia e Prokuroria e kanë klasifikuar si vetëvrasje, por i ati kërkon që çështja të rihapet dhe të nisin hetimet.

“Si mbërriti djali im Jurgen Kapllanaj deri në tarracë. Të thuhet se çfarë ka ndodhur. Nuk u mor një masë, nuk foli një polic në gjyq. Dua të di se çfarë i ka ndodhur djalit tim që arriti deri atje. Pasi ka lënë çantën aty është ngritur lart pa asnjë shkak, që atje nuk lejohet?”, shprehet i ai për mikrofonin e Report Tv.

Sipas babait të 23-vjeçarit të vetëflijuar ai qëndroi për 17 minuta mbi tarracën e aeroportit dhe siguria atje nuk mori asnjë masë.

“Siguria te Rinasi nuk mori asnjë lloj masë, se çfarë bën atje, ka ndenjur 17 minuta atje lart. Populli donte ta shpëtonte ata nuk e linin. Djali të vdesë dhe unë të jetoj, nuk jetoj… Nëse hetojnë mund të ma mbushin mendjen, por nëse nuk hetojnë unë do të mbushem me bomba dhe do të hidhem në erë në mes të Rinasit”, kërcënon i ati i Jurgenit të ndjerë.

Jurgen Kapllanaj mesditën e 1 shtatorit të 2016-ës i dha fund jetës, ndërsa ndër bisedat e fundit me familjarët ai ishte shprehur se do të nisej për në Gjermani për një jetesë dhe punë më të mirë.

Pasi udhëtoi drejt Gjermanisë ai u kthye në Rinas duke prerë një tjetër biletë por para se të hipte në avion kreun aktin e vetëflijimit, ngjarje për të cilën i ati i tij kërkon hetim.

Hidhet nga terminali aeroportit të Rinasit emigranti