Transmetuar më 12-12-2017, 12:00

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se reforma në drejtësi ecën përpara vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin tashmë të reformuar.

“Kjo na duhet! Kompromisi politik, që zhbën Kushtetutën dhe ligjin, s’mund të jetë pazari i radhës, qoftë ky i bërë në shqip apo anglisht. Ky nuk na duhet!”, shkruan Vasili në Facebook.

Ky qëndrim i tij vjen pak pasi ambasadori amerikan Donald Lu, bëri një deklaratë të fortë.

Ai tha se sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.

Diplomati amerikan deklaroi se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë.

“I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojmë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i përfundoi mandati 5 vjeçar me 7 dhjetor. Të dy palët duhet ti japin fundit epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”, u shpreh Lu.

Ai shtoi më tej se reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut.

“Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”, deklaroi ambasadori amerikan ditën e sotme, i pranishëm në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit.

Ai nënvizoi se sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. /a.y/noa.al