Transmetuar më 12-12-2017, 09:48

Qytetarët e Tiranës janë surprizuar teksa iu drejtuan Pazarit të Ri për të bërë blerjet e fruta-perimeve.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë të re “Më jep qesen, të të jap një çantë”, e cila synon që të ndërgjegjësojë qytetarët për të ulur nivelin e qeseve plastike që janë një nga ndotëset më të mëdha të ambientit.

Të rinj vullnetarë kanë nisur tashmë punën tek Pazari i Ri. Të gjitha zonjat që mbajnë një qese në dorë, mund ta shkëmbejnë atë me një trastë.

Më 28 mars 2017, Bashkia Tiranë bashkë me disa nga administratorët e supermarketeve kryesore të Tiranës, nënshkruan marrëveshjen e parë për ofrimin e qeseve plastike me pagesë, e cila u vu në zbatim më datë 3 prill 2017.

Një marrëveshje e tillë është nënshkruar edhe me prodhuesit e bukës dhe pastiçeritë në kryeqytet.

Nga të dhënat e marra nga supermarketet si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit, reduktimi i përdorimit të qeseve plastike ka rënë në masën 60%. Heqja e qeseve nga përdorimi në furrat e bukës nëpërmjet kësaj marrëveshje do reduktojë 1 milion të tilla në ditë. /b.l/noa.al/