Transmetuar më 12-12-2017, 09:20

Nëna e Klevis Sulës, 20 vjeçarit i cili ndërroi jetë të premten, pasi u godit me thikë në Austurvöllur, fundjavën e shkuar, tha se djali i saj e kishte përshkruar Islandën si një vend tepër të sigurt dhe se i pëlqente shumë jetesa atje.

“Ishte një djalë i mrekullueshëm dhe dëshironte të ndihmonte këdo. Fliste me superlativa për islandezët dhe i pëlqenin njerëzit atje”, tha nëna e të riut nga Çorovoda, Natasha Sula, duke shtuar se Klevisi “ishte shumë i lumtur që ishte këtu”.

Sipas asaj që është publikuar në mediat vendase, por edhe dëshmive të miqve të shumtë të 20 vjeçarit në rrjetet sociale, vdekja e të riut erdhi pasi Klevisi iu afrua një burri që po qante, me gjasë për ta ndihmuar. Autori iu kthye duke e goditur me thikë atë, sëbashku me mikun e tij. Ky i fundit, sipas mediave, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Natasha Sula udhëtoi drejt Islandës pas sulmit sëbashku me vëllain e 20 vjeçarit. Ajo rrëfeu për mediat se i biri i kishte folur për sigurinë në këtë vend, duke i thënë se asgjë nuk ndodhte kurrë atje.

“Nuk mendonim se kjo mund të ndodhte këtu. Klevis na kishte treguar se asgjë e keqe nuk ndodhte kurrë në Islandë”, tha gruaja. “Ai kishte ardhur këtu për të punuar dhe për një jetë më të mirë”, shtoi ajo më tej, shkruan tvklan.

Vdekja e të riut shqiptar ka tronditur opinionin publik atje dhe tërhequr një vëmendje të madhe në mediat islandeze. Një llogari bankare u hap për shpenzimet e varrimit të tij dhe apelit për ndihmë iu përgjigjën shumë qytetarë.