Transmetuar më 12-12-2017, 08:45

Leximi ndikon në shumë mënyra në mendjet dhe jetët tona. Në nivelin fiziologjik, është dëshmuar shkencërisht se leximi aktiv është i aftë të rritë lidhjen e neuroneve. Në anën tjetër, në aspektin emocional, leximi është dëshmuar se e përmirëson aftësinë tonë për t’i stimuluar gjendjet mendore të të tjerëve, për të qenë më të mëshirshëm dhe më të kuptueshëm ndaj tjerëve. Dhe pikërisht koha e pushimeve dimërore është ajo më e përshtatshmja për të lexuar librat që ju sjellin vërtet qetësi. Më poshtë po ju rendisim pesë titujsh librash të cilët mund t’i lexoni për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri.

1. Të mos festosh Krishtlindjet- nga romancieri amerikan John Grisham. Imagjinoni një vit pa Krishtlindje! Pa zbukurime në derë, pa festa në zyrë, pa darkën e zakonshme në shtëpi me miq, pa dhurata. Këtë kishin në mendje Luther dhe bashkëshortja e tij Nora, kur vendosën që një vit të vetëm të arratisen për pushime në Karaibe në kohë Krishtlindjesh. Por, ata nuk e kishin menduar kurrë se të mos festosh Krishtlindjet mund të sjellë kaq shumë pasoja…

2. Harry Potter dhe Guri Filozofal- J. K. Roëling (në fakt, çdo seri e magjistarit Harry Potter është e mbushur me magji Krishtlindjesh!). Lexoni për Krishtlindjet e para të djaloshit Potter në Hoguarst. Do t’ju habitë pamasë salla e madhe e shkollës e zbukuruar si jo më mirë për festë dhe tryeza plot me ushqime magjike të lloj-llojshme. 12 pemët gjigande janë të hijeshuara me heje akulli dhe qirinj vezullues që ndizen me magji, s’do mend. Magjisë që duket në ajër, shtojini edhe një grimcë magjie, nga ajo e vërteta!

3. Një këngë Krishtlindjesh- Charles Dickens. Plaku gërnjar Ibenezer Skruxh nuk besonte tek shpirti i Krishtlindjeve, nuk besonte as tek fjalët e nipit të tij zemërmirë Fredit, se “Krishtlindjet janë kohë e shenjtë dhe e hareshme, që duhet festuar patjetër me njerëzit e dashur”, derisa fantazmat e Krishtlindjeve të Shkuara, të Tashme dhe të Ardhme, i tregojnë sa shumë kishte humbur duke mos gëzuar me familjen e tij. Ditën Krishtlindjeve ndodh një mrekulli: Ibenezer Skruxh bëhet i dashur dhe i mirë.

4. Dhurata- Cecilia Ahern. Ky mund të quhet versioni modern i romanit të Dickens-it, Një këngë Krishtlindjesh, por që vendoset në Dublinin e ditëve të sotme. Lou Sufern është një ekzekutiv jashtëzakonisht i suksesshëm dhe ambicioz, i cili ka vetëm një të metë: vë punën para gjithçkaje, madje edhe para familjes dhe Krishtlindjeve…deri në momentin kur një i pastrehë i ofron pilulën me aftësi klonuese. Dhuratë pak e çuditshme, hë?!

5. Lartësitë e Stuhishme-  Emily Brontë.Në dimrin e ashpër të vitit 1801, Ludvik Lokud merr në pronësi një banesë pranë vilës Lartësitë e Stuhishme. Kureshtar nga çka sheh përreth, i kërkon shërbyeses të shtëpisë, Nelit, t’i tregojë historinë e vilës madhështore dhe pronarëve të mëparshëm, të cilën Lokud e përmbledh në formën e një ditari. Historia komplekse e Hithklifit dhe e banorëve të tjerë të fermës Lartësitë e Stuhishme, e rrëfyer sipas stilit Brontë, është romani që do t’ju mbajë pranë zjarrit ditët e festave./b.l/noa.al/