Transmetuar më 07-12-2017, 19:47
Publicitet

Ditën e djeshme ishte planifikuar të zhvillohej në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca për grupin e Treblovës, i akuzuar për kultivim narkotikësh.

Bëhet fjalë për grupin e Taulant Haxhirajt, i cili u evidentua në tetor të vitit 2016, në një operacion ku u gjetën në total rreth 2.5 tonë kanabis.

Mirëpo, seanca u shty, pasi dy nga të akuzuarit nuk janë arrestuar i pari nuk ka nguruar as të japë një deklaratë noteriale për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke dërguar edhe avokatin e tij në séance, shklruan “Panorama”.

Ndërsa i dyti ka marrë arratinë në Itali, edhe pse avokati i tij ishte njoftuar për procesin. Avokati i Bacos dorëzoi dje deklaratën noteriale të mbajtur më 22 nëntor të këtij viti të klientit të tij, i cili shprehej se kishte dijeni për procesin dhe se kërkon të mbrohet nga Erion Laze.

Por, nga ana tjetër, Policia e Vlorës ende nuk e ka arrestuar këtë person. Për rastin e dytë, atë të Reshat Radhimës, avokati mbrojtës pretendoi se nuk ishte njoftuar nga Policia për procesin ndaj tij.

Madje, sipas sistemit TIMS ai rezulton të jetë larguar në Itali në një kohë që duhet të ishte në pranga për trafik droge.

Kjo situatë e pazakontë e ka detyruar gjyqtarin që të shtyjë seancën dhe të dërgojë një shkresë te drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, për të dhënë shpjegime se përse dy personat nuk janë arrestuar ende.

Gjithashtu, në seancë u tha se Policia e Vlorës nuk kishte ushtruar kontrolle në banesat e dy të pandehurve.