Transmetuar më 07-12-2017, 19:11

Kulla e Sahatit në Tiranë u ndriçua mbrëmjen e kësaj të enjte me ngjyrë portokalli, një ndër ngjyrat zyrtare të fushatës UNiTE të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e fushatës globale për të përkujtuar 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi këtë moment si mjaft special që synon përfshirjen e grave dhe vajzave në mënyrë të barabarta në çdo vendimmarrje si dhe gjetjen e zgjidhjeve për t’i dhënë fund dhunës.

Veliaj tha se mbi 65 për qind e stafit të punonjësve të Bashkisë së Tiranës janë gra dhe vajza

“Nga të gjitha ndriçimet, ky që bëjmë tani është më speciali se ka një mesazh shumë të veçantë sepse bëhet në një fushatë që unë e kam shumë përzemër, që nga koha që kam punuar në ministri dhe jam përfshirë më shumë në çështjeve e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe sidomos në emancipimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe besoj që do të më shoqërojë gjithë jetën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku përfundoi fjalën duke thënë se ndonëse Tirana renditet mes 10 qyteteve me numrin më të ulët të krimeve ndaj personit në Europë, sfidë mbetet krimi brenda familjes. (e.c/noa.al)