Transmetuar më 07-12-2017, 17:24

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 vjet burg në total nënë e bijë, të akuzuara për një skemë mashtrimi për vizat në shtetin kanadez.

Bëhet fjalë për Lule dhe Adeila Makashin, të cilat drejtonin një agjenci udhëtimesh, përmes së cilës mashtruan mbi 200 qytetarë, duke u premtuar viza pune në Kanada kundrejt pagesave. Më konkretisht, Gjykata e Tiranës dënoi me 6 vjet burg Lule Makashin dhe me 4 vjet burg Adeila Makashin, vajzën e saj.

Të dyja përfituan ulje dënimesh nga gjykimi i shkurtuar. Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës në pretencën e saj kishte kërkuar 10 vjet burg për Lule Makashin dhe 8 vjet burg për vajzën e saj në lidhje me akuzat për “mashtrim me pasoja të rënda”.

Gjithashtu, Gjykata ka gjobitur me 5 milionë lekë të rinj agjencinë që drejtohej nga Lule Makashi. Lule dhe Adeila Makashi gjendeshin në Kanada në kohën kur u zbulua skema e mashtrimit. Duke qenë se me Kanadanë Shqipëria nuk kishte marrëveshje ekstradimi, autoritetet atje i deportuan nënë e bijë për në Shqipëri, ku edhe u arrestuan nga autoritetet.

SKEMA E MASHTRIMIT

Kallëzimet e para për skemën e mashtrimit janë bërë në datën 25 prill 2016 nga 26 qytetarë të mashtruar nga agjencia e Makashit për viza pune në SHBA. Ata kanë shpjeguar në Polici se kishin aplikuar që në vitin 2014 për punësim dhe studime pranë agjencisë “ANDE-LM” me administratore Lule Makashin.

Sipas dëshmitarëve, pasi merrnin kontakt me Lule Makashin, ajo u premtonte se shumë shpejt do t’i pajiste me vizë dhe pagesat mund t’i kryenin në bankë në llogari të firmës. Për këtë aktivitet mashtrimi, Lule Makashi organizonte edhe mbledhje e konferenca në një hotel ku prezantonte disa shtetas si avokatë kanadezë, të cilët shpjegonin edhe mënyrën dhe procedurat se si merrej viza.

Shtetasit që kanë aplikuar dhe kanë dorëzuar dokumentet për pajisjen me vizë, kanë paguar në llogari të shoqërisë “AndeLM” shuma te konsiderueshme në lekë dhe valutë.

Por skema u zbulua pikërisht ditën e kallëzimit, kur qytetarët e mashtruar u paraqitën në zyrat e shoqërisë “ANDE-LM” dhe mësuan se nënë e bijë ishin larguar jashtë vendit dhe se agjencia drejtohej nga një person tjetër që edhe e kishte blerë./Panorama