Transmetuar më 07-12-2017, 16:23

Krijimi i lehtësirave për të trafikuar 2.5 ton kanabis drejt Italisë nga porti i Durrësit ku ishte i përfshirë dhe u arrestua nën komisari i policisë Festim Lelaj nuk është episodi i vetëm.

Burime nga grupi hetimor sqaruan se kanë mundur të faktojë një bashkëpunim më të gjatë të policit me trafikantët, e sipas hetimeve, Lelaj bashkëpunonte me të arrestuarit Aurel Laze dhe Skënder Siceqa.

E me këta bashkëpunëtorë që ka punuar prej 2014, sqaruan burimet, Lelaj ka mundur të trafikoj edhe 350 kg kanabis nga porti i Vlorës.

Deri më tani në pranga, në kuadër të këtij grupi kriminal, kanë rënë 12 persona mes tyre efektiv policie të nivelit të lartë si rasti i nën komisarit Festim Lelaj si dhe policë kufitarë në Durrës, doganier dhe agjent doganorë.

Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se droga sigurohej në zona të ndryshme të Vlorës, e më pas ngarkohej nëpër kamionë në Fier të cilët kishin si destinacion Europën, raporton Report Tv,

Transporti i drogës bëhej nëpërmjet një kompanie e cila si fushë veprimi të saj kishte tregtimin e paletave të drurit drejt Gjermanisë, destinacion të cilin kishte dhe kamioni i kapur me 2.5 ton kanabis në Ankona të Italisë më 9 Janar 2017.

Të premten Gjykata e Krimeve të rënda do ti komunikojë zyrtarisht akuzën të arrestuarve, ndërsa Prokuroria ka depozituar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për policët, doganierët dhe trafikantët.

Sasi prej 2 ton e 530 kg kanabis u kap në portin e Ankonës në Itali, në datën 9 janar 2017. Në vijim të operacionit, në prangat e policisë ranë tre efektivë, përfshirë edhe nënkomisarin e policisë së Fierit, Festim Lelaj, si dhe dy doganierë të Portit të Durrësit. (e.c/noa.al)