Transmetuar më 07-12-2017, 16:16

Nuk ka kaluar pa u vënë re nga Policia e Shtetit, deklarata e pak ditëve më parë e imamit Armand Ali, se “të festosh Pavarësinë është haram për të gjithë besimtarët myslimanë”.

Nisur nga kjo thirrje e imamit, Prokuroria ka nisur një hetim në gjendje të lirë ndaj tij nën akuzën “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.

Ka qenë drejtoria e Anti-Terrorit në Policinë e Shtetit e cila ka referuar materialet në Prokurori duke i cilësuar të tilla thirrje si në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë.

Kujtojmë se një ditë pas festës së Pavarësisë së Shqipërisë, imami Armand Ali botoi një shkrim në Facebook, ku kërkonte të mos festohej kjo datë pasi ishte kundër rregullave të islamit.

“Festa e Pavarësisë dhe festat e tjera kombëtare nuk i lejohen muslimanit që t’i festojë e as të urojë për to pasi nuk ka asnjë argument fetar që ta lejojë një veprim të tillë. Gjatë gjithë kësaj historie të gjatë islame me shtete dhe perandori që njohën zgjerime dhe tkurje të ndryshme askush nuk festoi festa të tilla. Kjo tregon se ky lloj festimi ju imponua muslimanëve nga jobesimtarët,” shprehej mes të tjerave imami në statusin e tij. (e.c/noa.al)