Transmetuar më 07-12-2017, 15:42

Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë ftesën për kundërshtarin e tij politik lidhur me uljen në tryezë për një pakt kombëtar për Europën dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për Prokurorin e Përgjithshëm. Në një prononcim për median Rama nënvizoi se mazhoranca ka mundësinë kushtetuese të zgjedhjes me shumicë të thjeshtë pavarësisht kësaj ai u shpreh se ka për borxh të ftojë opozitën në negociata. 

"Ftesa ime është për një pakt kombëtar për Europën, në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo i qeverisë vetëm dhe për ta shfrytëzuar këtë çështje të Prokurorit të përgjithshëm si një pikënisje të rëndësishme duke u nisur nga fakti se pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhje me shumicë të thjeshtë, të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat. Unë kam për borxh të bëj deri në fund atë që më takon e sigurisht pastaj borxhet që opozita i ka vendit janë borxhe që opozita vetë duhet ti konsiderojë e ti trajtoj si të tilla”, u shpreh Rama.

Pas thirrjes për dialog nga kryeministri Edi Rama për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të demokratëve Lulzim Basha i cili thekson se “pakti” i vetëm për të cilin ka nevojë vendi është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

“I vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; respektimi i të drejtave themelore të njeriut”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i PD-së deklaron se opozita mbështet pa asnjë kusht përpjekjen për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve.

“1. Në mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të byrosë së hetimit dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vetingun dhe me tre të pestat e Kuvendit.

2. Ne mbështesim heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. Mbështesim pa kushte hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt.

3. Ne mbështesim pa asnjë rezervë hetimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshi koncesionet në shëndetësi, në inceneratorë, në PPP, e kudo.

4. Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qytetarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare”, shton Basha.

Në fund të reagimit të tij Basha shprehet se PD do të japë kontributin e vet në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë, duke shruar se detyra e tyre është të bëjë opozitë, çfarë sipas tij është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit.

“Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”, përfundon Basha. /b.l/noa.al/