Transmetuar më 07-12-2017, 15:08

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe njëherë tjetër ftesës për kreun e opozitës, Lulzim Basha lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

Në një prononcim për mediat nga Bullgaria, ku ndodhet në Samitin për integrimin e Ballkanit në BE, ai tha se shumica i ka votat për ta zgjedhur kryeprokurorin e ri, por kërkon edhe përfshirjen e pakicës në këtë proces.

“Ftesa ime është për një pakt kombëtar për Europën, në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo i qeverisë vetëm dhe për ta shfrytëzuar këtë çështje të Prokurorit të përgjithshëm si një pikënisje të rëndësishme duke u nisur nga fakti se pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhje me shumicë të thjeshtë, të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat.

Unë kam për borxh të bëj deri në fund atë që më takon e sigurisht pastaj borxhet që opozita i ka vendit janë borxhe që opozita vetë duhet ti konsiderojë e ti trajtoj si të tilla”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama më tej ka folur edhe lidhur me negociatat e Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian, ku e cilëson mjaft të rëndësishme marrjen e presidencës në 6 muajt e ardhshëm nga Bullgaria.

“Është e rëndësishme që Bullgaria merr presidencën dhe në 6 muajt e ardhshëm që janë shumë vendimtar për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ne kemi presidencën bullgare dhe kryeministri bullgar është absolutisht i përfshirë dhe tërësisht i përkushtuar që të japi një shtysë të rëndësishme nga ana e presidencës së Bashkimit Europain në këtë 6 mujor një mbështetje të fortë të kandidaturës së Shqipërisë për çeljen e negociatave”, tha Rama./b.l/noa.al/