Transmetuar më 07-12-2017, 13:36

Kryeministri Edi Rama reagon sërish lidhur me çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.

Ai i përsërit sërish ftesën kreut të opozitës Lulzim Basha, që të takohen dhe të flasin për të gjetur zgjidhje.

“LB mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkruan Rama në Facebook.

Ky qëndrim i tij vjen pak pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu deklaroi se Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta, duke kërkuar që Parlamenti të zbatojë ligjin.

“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”, tha Lu.

Sakaq Komisioni i Ligjeve ka nisur sot mbledhjen për të diskutuar situatën e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.

Kjo mbledhje vjen një ditë pasi Kryeministri Edi Rama i bëri ftesë kreut të opozitës Lulzim Basha që të bëjnë një pakt lidhur me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Por ditën e sotme PD i dërgoi një letër kryeparlamentarit Gramiz Ruçi duke i kërkuar që të ndërpresë procesin, deri në momentin që të jetë sqaruar situata ligjore. /a.y/noa.al

Kryeprokurori i ri, Lu: Kushtetuta është e qartë, Parlamenti të zbatojë ligjin

Llallës i përfundon mandati, PS kërkon kryeprokuror të përkohshëm

“Prokurori i Përgjithshëm”, Rama ftoi Bashën për pakt, PD ka këtë përgjigje

Kryeprokurori i ri, Rama ftesë Bashës: A mund të bëjmë një pakt?