Transmetuar më 07-12-2017, 11:59

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore.

Liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan për bashkëpunimin rajonal dhe për dinamizmin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pjesë e diskutimeve të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ishte edhe kompletimi i rrjetit të rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës së kalimeve kufitare.

Presidenti Thaçi deklaroi se të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë evropiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE në bllok, që të sigurohet paqja dhe bashkëpunimi afatgjatë në rajon”, u shpreh Thaçi.

Ndërkohë në vijim të qëndrimit në Bullgari, sot ai do të zhvillojë një takim bilateral edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin do të bisedojë për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. /a.y/noa.al