Transmetuar më 07-12-2017, 08:40

Një person i shumëkërkuar, i dyshuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, është vënë në prangat e policisë së Tiranës.

Në kuadër të operacionit “Myzë” të zhvilluar ditën e djeshme, në një lokal në rrugën “Jordan Misja” Tiranë, u kap dhe u ndalua personi në kërkim Marko Bushi, 41 vjeç, banues në Urakë, Burrel.

Më 5 tetor 2016, në bazë të një plani paraprak, shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Matit, kanë ushtruar kontroll territori për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Myzë, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë kanabis sativa.

41-vjeçari ka kërcënuar me armë prokurorin A.Muça dhe forcat e policisë lokale. Me ndërhyrjen e FNSH-së operacioni vijoi dhe u finalizua me asgjësimin e bimëve narkotike.

Në vijim të veprimeve të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit, dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tij dhe grupit që ai drejtonte në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga hetimet e kryera rezulton se Bushi ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal.

Gjykata e Krimeve të Rënda më 21 mars, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. /a.y/noa.al