Transmetuar më 06-12-2017, 20:35

Kur kanë kaluar tre vjet nga vdekja e 16-vjeçares shqiptare Konstandina Anagnosti, e cila humbi jetën në aksident teksa po udhëtonte me taksi nga Saranda drejt Janinës, ka thyer heshtjen taksisti që e shoqëronte, i cili është edhe bashkëjetuesi i mamasë së saj të divorcuar.

Në një prononcim për televizionin grek “Star”, taksisti grek që transportoi adoleshenten, thotë se është i pafajshëm dhe se nuk ka vrarë 16-vjeçaren shqiptare.

Ai madje i është rikthyer ngjarjes së rëndë, ku ka përshkruar me detaje se çfarë ndodhi gjatë rrugëtimit të tyre nga Saranda në Janinë. 

Ai mohon edhe akuzat që kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, duke thënë se autopsia tregoi që 16-vjeçarja nuk kishte pasur raporte seksuale.

“Ajo dëgjonte muzikë në celularin e saj dhe këndonte. Në një moment, telefoni i ra dhe dëgjova që kërciste dhëmbët aq fortë dhe humbi ndjenjat. Menjëherë e dërgova në spital. Mjekët thanë se i dëgjuan vetëm dy rrahjet e fundit te zemrës dhe më pas njoftuan policinë dhe nënën e saj”, tregon taksisti grek.

Taksisti i konsideroi qesharake pretendimet publike të bëra në media, se vajza kishte abortuar tek gjinekologu. Sipas tij, 16-vjeçarja fliste çdo 5 minuta me të ëmën në telefon kur ishte në Sarandë.

“Është për të ardhur keq që thuhen të tilla gjëra për Konstandinën. Ajo ishte një vajzë e shkëlqyer”, thotë ai.

Ngjarja tragjike ka ndodhur më 15 Nëntor 2014, ndërsa dy vite më pas Prokuroria e Janinës urdhëroi ndjekje penale ndaj taksistit.

Lidhur me këtë histori tragjike, babai i vajzës ka pretenduar vazhdimisht se bija e tij nuk ka vdekur nga shkaqe natyrale, duke u bazuar tek rezultati i autopsisë në Janinë, që zbuloi se në trupin e adoleshentes kishte narkozë. (e.c/noa.al)