Transmetuar më 06-12-2017, 17:51

Dy shqiptarë me banim në Itali, u dëbuan sot nga shteti fqinj për motive sigurie.

Ata dyshohen për terrorizëm, me prirje ekstremiste islamike. Njëri nga dy të dëbuarit është një 24-vjeçar me banim në Lucera të Foggia, i cili dyshohet se ka lidhje me të ashtuquajturin shtet islamik, ISIS.

Hetimet e autoriteteve italiane, zbuluan se i riu shqiptar kishte kontakte të ngushta me një bashkëkomabsin e tij, i cili merrej me favorizimin e emigracionit klandestin, përveçse lidhjeve me dy vëllezër shqiptar të dëbuar nga Italia për të njëjtin motiv në muajin korrik.

Hetimet zbuluan gjithashtu se 24-vjeçari nëpërmjet profilit të tij në Facebook bënte propagandë pro ISIS, duke nxitur xhihadin.

Ai mbante kontakte të ngushta me një 23-vjeçar tjetër shqiptar, i cili jetonte në Foggia, dhe që si foto profili në Facebook, kishte një pistoletë.

Që të dy shqiptarët u kontrolluan dhe morën në pyetje nga policia, ndërkohë që u dëbuan sot nga porti i Barit me destinacion Durrësin. /a.y/noa.al